• Childhood & Development
  • Environment & Cities

Të kthyerit e qytetit fëmijëve

minute read

Featured in Journal 2020

Prefer another language?

minute read

Do you want this article available in another language?
Returning the city to children
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në njërin nga shumë sheshet e reja të lojërave. Credits: Municipality of Tirana.

Këtë vit Tirana shënoi 100 vjetorin si kryeqyteti i Shqipërisë. Një qytet që është i njohur për ngjyrat, kontrastin, diversitetin dhe udhëkryqet kulturore dhe me një histori të pasur që personifikon ndikimet osmane, italiane dhe sovjetike. Menjëherë pas rënies së regjimit më të ashpër Komunist në Evropën Lindore, Tirana dukej si kryeqyteti i Koresë së Veriut. Ishte qytet me 170 mijë njerëz me 170 vetura, deri te të cilat kishin qasje vetëm elitat dhe pjesëtarët e partisë. Pjesa tjetër e popullsisë udhëtonte në këmbë ose me biçikletë, jo se kështu kishin zgjedhur, por për shkak të varfërisë.

Rënia e komunizmit kishte ndikim radikal në infrastrukturën dhe jetën sociale të qytetit, duke ndikuar thellësisht mentalitetin dhe stilin e jetës së tij. Tirana përjetoi një proces të dhimbshëm tranzicioni me një transformim kaotik urban. Papritmas njerëzit u turrën në kryeqytet nga çdo cep i vendit, duke kërkuar mundësi të reja dhe një jetë të re. Për 30 vjet, që nga rënia e komunizmit, Tirana u bë një qytet me një milion banorë dhe 170 mijë vetura.

Kur morëm detyrën pesë vjet më parë, trashëguam një qytet plot me vetura, trafik të çorganizuar, ndotje, hapësira publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe, mbi të gjitha, asnjë hapësirë loje për fëmijët. Për 25 vjet demokraci fëmijët ishin harruar dhe ishin lënë jashtë çdo agjende të planifikimit urban dhe politikave. Avokimi për infrastrukturë miqësore ndaj fëmijëve, në një qytet që po përjetonte zgjerim të shpejtë urban dhe rritje të popullsisë nën kufizime të mësha buxhetore, tingëllonte si një çmenduri. Duhej të menduarit inovativ, kreativ për të shtyrë përpara një çështje kaq të spikatur.

Opsionet ishin të kufizuara nën këto rrethana. Filluam të punojmë në infrastrukturën miqësore ndaj fëmijëve përmes ‘urban acupunture’[1]- ndërhyrje të piketuara që na lejuan të bëjmë ndryshime të vogla që mund të katalizonin ndikimet madhore sociale. Bashkëngjitja e ndjenjës së pronësisë procesit të transformimit të qytetit ishte një lëvizje thelbësore, për të kundërshtuar sjelljen apatike që ishte e zakonshme në mesin e qytetarëve të Tiranës.

[1]

Për një përshkrim të akupunturës urbane, shihni: www.arup.com/perspectives/urban-acupuncture

Që në ditën e parë në zyrë të gjithë ishim të vetëdijshëm se infrastruktura për fëmijët ishte e varfër, por nuk ishim në gjendje të vlerësonim situatën reale derisa u njohëm vetë me kushtet në kopshtet e qytetit. Ishte tmerruese. Dukeshin si qeli burgu: nuk është çudi që kishim kaq shumë dhunë, mungesë edukate dhe mbeturina rrugëve. Zbuluam se, pa vullnetin tonë, kishim jetuar në një qytet pa kujdes dhe dashuri për fëmijët.

Nga ‘adoptimi i një kopshti fëmijësh’ deri në ‘ditë pa makina’

Shpejt pas këtij zbulimi organizuam një fushatë të madhe ‘adoptojmë një kopsht fëmijësh’ në qytetin tonë. Ne thirrëm kompani, projektues, profesionistë, studentë dhe gjithkënd me energji dhe gatishmëri për të ndihmuar. Në një kohë rekord, arritëm të transformonim kopshtet tona në hapësira të hapura, plot ngjyra, dekorime të gjalla dhe me të gjitha lehtësimet e nevojshme. Përgjigja ishte fantastike. Andaj vendosëm të vazhdojmë më tej duke liruar të gjitha hapësirat e okupuara brenda kopshteve dhe shkollave, të cilat njerëzit i përdornin si parkingje veturash.

Duke pasur parasysh se rritja e fëmijëve dhe zhvillimi njohës dhe i sjelljes janë të lidhura me atë që ndodh jashtë, vendosëm që gjithashtu të përqendrohemi në sheshet e lojërave dhe parqet, dhe lëvizshmërinë deri te këto destinacione. Kjo ishte një mundësi përmirësim të mirëqenies së fëmijëve duke iu mundësuar që ta përjetojnë qytetin dhe të krijojnë një lidhje me botën përreth tyre.

Arritëm të ndërtojmë një shesh bashkëkohor lojërash për fëmijë te Liqeni i Tiranës, ku papritur hasëm në rezistencë mjaft të madhe nga qytetarët – dhe politikanët – ndaj ndërtimit ‘brenda’ një parku. Në ditën kur u hap sheshi i lojërave, vendi dukej si një tubim – jo me të rritur, por me fëmijë që luanin. Ky sukses na motivoi të ndërtojmë gjithnjë e më shumë sheshe lojërash në çdo pjesë të qytetit, në çdo hapësirë të zënë më parë nga veturat. Ne vazhduam ndërtimin e 60 shesheve të reja lojërash dhe sot pothuajse çdo lagje e qytetit ka një zonë dedikuar fëmijëve.

Interesante, këto sheshe lojërash tani po shfrytëzohen jo vetëm nga fëmijët, por edhe nga të moshuarit dhe prindërit e rinj. Njerëzit e moshuar i shfrytëzojnë si hapësira rekreative. Prindërit e rinj e shfrytëzojnë rastin të ndihen më të relaksuar se më parë, duke i lënë fëmijët e tyre të luajnë jashtë, ndërsa shfrytëzojnë kohën për angazhime profesionale.

Gjatë krizës së pandemisë, njerëzit kanë kuptuar se ajri në qytet është shumë më i pastër dhe qyteti është më i qetë dhe më i sigurtë pa automobila.

Të padurueshëm për të parë më shumë ndryshime në këtë drejtim, ne vazhduam më tej, duke prezantuar nismat ‘ditë pa makina’ dhe ‘le të pastrojmë Tiranën për një ditë’. Të rriturit shpërthyen sërish, duke u ankuar dhe rezistuar – por këtë herë e dinim se çfarë të bënim. Ne u drejtuam për mbështetje aleatëve tanë më të mirë: fëmijëve. Ata nuk na zhgënjyen. Si gjithmonë, ata morën pjesë në këto nisma për të shijuar një ditë pa vetura dhe për të ndihmuar në pastrimin e qytetit. Me një fuqi magjepsëse për ndryshim, fëmijët u bënë avokatët tanë kryesorë në shndërrimin e Tiranës në një qytet të miqësor ndaj fëmijëve.

Sot, Tirana ka shumë më shumë për t’u ofruar fëmijëve. E shndërruam Sheshin Skënderbe në një shesh ekskluzivisht për këmbësorët. Ajo që dikur ishte 40,000 m2 rrethrrotullim, kushtuar veturave, është aktualisht sheshi më i madh i lojërave në Tiranë, ku fëmijët mund të shijojnë një ditë pa makina në çdo kohë në një ajër shumë më të pastër. Ne gjithashtu po zbukurojmë Tiranën me një rrip të gjelbër prej dy milion pemësh, i cili do të jetë thelbësor në adresimin e shqetësimeve mjedisore të qytetit.

Një trashëgimi për një qytet rezilient

Katër vjet më parë, iu bashkuam Kornizës së Qyteteve të Gjelbra dhe, së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, hartuam Planin e veprimit të qytetit të gjelbër për Tiranën. Bazuar në matjet tona, vetura në Tiranë bënin 800,000 udhëtime në ditë, nga të cilat 400,000 ishin brenda një distance prej 500 metrash. Këto shifra të habitshme rritën vendosmërinë tonë për të mposhtur dominimin e veturave dhe për të përdorur hapësirën publike për më shumë sheshe lojërash, parqe, trotuare më të gjera, korsi biçikletash dhe ditë pa vetura.

Ky plan veprimi hodhi themelet për përmirësimin e cilësisë së mjedisit, shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve tona. Gjatë krizës së pandemisë, njerëzit e kuptuan se ajri në qytet është shumë më i pastër dhe vetë qyteti shumë më i qetë dhe më i sigurt pa vetura. Ata e kanë kuptuar që në një qytet ku nuk ka industri të rëndë, ndotësit më të mëdhenj janë veturat – armiq real të jetës, jo vetëm për ta, por edhe për fëmijët e tyre. Ata gjithashtu kuptuan se është realisht e mundur dhe shumë më e shëndetshme të shkojnë në destinacione brenda një kilometri duke ecur ose duke ngarë biçikletën së bashku me fëmijët e tyre.

Njerëzit kanë mësuar një mësim tjetër jetësor nga virusi korona. Ajo që i bën qytetet reziliente gjatë një krize nuk është pasuria dhe fuqia, por dija dhe uniteti. Përmes investimeve tona të mëparshme në kopshte, sheshe lojërash, trotuare më të gjera dhe korsi biçikletash, qyteti i Tiranës së bashku me qytetarët tanë, tashmë kishte filluar një udhëtim të jashtëzakonshëm në transformimin jo vetëm të infrastrukturës shkollore të fëmijëve, por edhe të mendësisë së tyre. Ajo që filloi si ndërhyrje akupunkture u shndërrua në një hartë rrugore për të ardhmen e qytetit. Papritmas, misioni ynë për t’ua kthyer qytetin njerëzve u shndërrua në kthimin e qytetit fëmijëve.

Ndërsa pandemia nuk ka mbaruar akoma dhe rrugët janë ende bosh nga veturat, ne jemi duke punuar intensivisht që të shfrytëzojmë këtë moment për të rialokuar më shumë hapësirë për trotuare dhe korsi biçikletash. Tirana gjithashtu zhvillon nëntë zona të reja policentrike për të ribalancuar dendësinë e qytetit dhe për t’i siguruar secilës zonë shkolla të reja, kopshte, parqe dhe sheshe lojërash. Qëllimi është që të grumbullohen shërbimet thelbësore brenda një kilometri – distance në këmbë. Pjesa më e mirë është që të gjitha projektet urbane në Tiranë përmbajnë konceptet Urban95 dhe ‘8 deri 80’[2] për dizajnim të infrastrukturës nga këndvështrimi i një fëmije.

[2]

Për më tepër detaje, shihni: www.880cities.org/

Në vitin 2050, fëmijët e lindur sot do të mbushin 30 vjeç - të gatshëm për të udhëhequr qytetet tona. Mënyra se si i rrisim dhe edukojmë ata do të ndikojë në reziliencën e Tiranës në 100 vitet e ardhshme.

Infrastruktura miqësore ndaj fëmijëve nuk do të kishte vlerë nëse fëmijët nuk mund të udhëtonin të sigurt, në këmbë ose me biçikletë, deri në destinacionet e tyre të preferuara. Prandaj, ne po punojmë me Shoqatën Kombëtare Amerikane të Zyrtarëve të Transportit të Qyteteve (NACTO) Iniciativën Globale të Projektimit të Qyteteve, përmes programit Streets for Kids, për të dizajnuar dhe ndërtuar rrugë miqësore ndaj fëmijëve. Në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Piramida e Tiranës – një simbol i komunizmit – po shndërrohet në një ‘katedrale të edukimit’, një nga lokacionet më të reja të Qendrës TUMO për teknologji kreative. Kjo qendër e re do të sigurojë më shumë hapësirë publike për fëmijët ku ata do të shoqërohen dhe do të marrin njohuri cilësore përmes një sërë programesh që do të përfshijnë mësimin e bazave të IT-së dhe kodimin.

Ambicia jonë është t’u lëmë fëmijëve tanë një qytet ku ata mund të jenë më të shëndetshëm dhe më energjikë, të lulëzojnë dhe të rriten në persona që do të vazhdojnë transformimin e Tiranës për 100 vitet e ardhshme. Jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta arrijmë këtë ambicie vetëm, pa ndihmën e prindërve. Në këtë botë të vrullshme, është thelbësore që ata mbesin të përqendruar në prioritetet e tyre, duke balancuar përgjegjësitë e tyre dhe duke identifikuar nevojat reale të fëmijëve të tyre të vegjël – ne po gjithashtu punojmë për këtë. Veç më kemi hartuar iniciativa të mira për t’i shndërruar prindërit në ‘shokë klase’ që i ndihmojnë të vegjlit e tyre të kryejnë detyrat e shtëpisë. Komuna gjithashtu po zhvillon një udhëzues ‘prindërim i mirë’ për t’i ndihmuar prindërit e rinj lidhur me edukimin dhe rritjen e përgjegjshme të fëmijëve të tyre.

Në vitin 2050, fëmijët e lindur sot do të mbushin 30 vjeç – të gatshëm për të udhëhequr qytetet tona. Mënyra se si i rrisim dhe edukojmë ata do të ndikojë në reziliencën e Tiranës në 100 vitet e ardhshme. Për ta, ndërtimi dhe dizajnimi i qytetit tonë është sikur të skicosh projektin e së ardhmes sonë. Unë shpesh them se projekti më i rëndësishëm i infrastrukturës për të ndryshuar në një qytet nuk është një bulevard, as një ndërtesë e madhe; ne dimë si t’i bëjmë ato. Janë ato 10 centimetrat midis veshëve tanë – të menduarit dhe mendësia jonë – që është infrastruktura më e vështirë për t’u transformuar. E ardhmja u takon fëmijëve.

Disponueshmëria e këtij artikulli për Çështjet e Fëmijërisë së Hershme në gjuhën shqipe është bërë e mundur nga një iniciativë partneriteti e Fondacionit Van Leer dhe ISSA, në bashkëpunim me anëtarin e ISSA-s ‘Shoqatën Multikultura – Tetovë’

Send us feedback about this article

This feedback is private and will go to the editors of Early Childhood Matters.

    Early Childhood Matters
    Privacy Overview

    This website uses cookies so that we can provide you with the best user experience possible. Cookie information is stored in your browser and performs functions such as recognising you when you return to our website and helping our team to understand which sections of the website you find most interesting and useful.