Stambolli është qytet me 15.5 milion banorë ku 47.5% e amvisërive përfshijnë fëmijë, nga të cilët 1.1 milion janë nën moshën 5 vjeç. Programi Istanbul95 i Fondacionit Bernard van Leer nisi në vitin 2017 me ambicien për të rritur shpenzimet publike për të mirën e fëmijëve të vegjël dhe kujdestarëve të tyre.
Rënia e komunizmit kishte ndikim radikal në infrastrukturën dhe jetën sociale të qytetit, duke ndikuar thellësisht mentalitetin dhe stilin e jetës së tij. Tirana Stambolli përbëhet nga 39 rrethe administrative, secili me kryetarin dhe organet e tyre komunale të zgjedhura, dhe një institucion metropolitan më të madh komunal. Faza pilot e Istanbul95 krijoi partneritete me katër komuna të rrethit – Sarıyer, Maltepe, Sultanbeyli dhe Beyoglu – për të testuar shërbime të reja dhe hapësirat publike të përmirësuara, me një ambicie që nga fillimi që brenda dy viteve të bartë mësimet në nivel metropolitan. Kjo kornizë kohore përkoi mjaft mirë me zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Superpool iu bashkua Istanbul95 me qëllim që të ndihmojë komunat partnere të ndërtojnë një shesh lojërash për fëmijë të vegjël në secilin rreth. Ky qëllim modest ishte hapi i parë në inkuadrimin e agjendës së fëmijëve të vegjël në departamentet e reja në komunat e rretheve. Përderisa disa departamente, siç janë shërbimet sociale, ishin të vetëdijshëm për shërbimet që mund t’i ofronin për fëmijët e vegjël dhe kujdestarët, të tjerë – siç janë punët publike, ose parqet dhe kopshtet – jo domosdoshmërisht shihnin ndonjë rol për veten e tyre në krijimin e qyteteve më të mira për bebet dhe foshnjat. Istanbul95 krijoi dy burime për t’i ndihmuar të fillojnë të imagjinojnë: harta dhe një katalog idesh.
Stambolli nuk është pa sheshe lojërash; në dekadat e fundit janë venduar shumë nëpër të gjithë qytetin, dhe secili prej katër rretheve ka 50–100 sheshe lojërash brenda kufijve të vet. Hartat e krijuara nga Universiteti Kadir Has dhe Fondacioni turk i studimeve ekonomike dhe sociale (TESEV) pozicionuan të gjitha këto sheshe lojërash në hartat në sfond, të cilat tregonin numrin e fëmijëve në secilën lagje, që të ndihmojnë në vlerësimin se nëse shërbimet e ofruara plotësonin nevojat reale.
Hartat ndanë grupmoshat e fëmijëve, duke u bazuar në të dhënat e regjistrimit në: lindje – 4 vjeç, 5-9 vjeç dhe 10–19 vjeç. A kishin lagjet me popullsinë më të madhe të fëmijëve të vegjël sheshe lojërash që plotësonin nevojat e tyre? Jo domosdoshmërisht.
Në përgjithësi, pajisjet e shesheve të lojërave janë të dizajnuara për fëmijë të moshës 5 vjeç e lart, të cilët veç më kanë zhvilluar aftësitë bruto motorike. Sidoqoftë, nevoja për lojë dhe hapësira për të luajtur fillon shumë më herët. Hulumtimet tregojnë se çdo aftësi e re që mëson një foshnjë, nga ngritja e kokës deri te ulja, zvarritja, përsoset përmes lojës, duke krijuar baza për zhvillim të aftësive më të ndërlikuara.
Sheshet e lojërave për fëmijë nga lindja deri në moshën 3 vjeç
Detyra e parë që Superpool mori përsipër ishte krijimi i një libri idesh për hapësirat për lojë për fëmijët dhe kujdestarët e tyre. Botimi shtjellonte sesi mund të krijohen mundësi loje në sheshet publike të lojërave për secilën aftësi që fëmijët zhvillojnë gjatë pesë viteve të para mahnitëse të jetës së tyre.
Loja në fëmijërinë e hershme nuk kërkon të instalohen pajisje të shtrenjta në hapësirat publike. Kërkon një konfigurim më delikat të hapësirës dhe elementeve të tilla si rëra, uji, hija dhe pajisje të thjeshta për aktivitete si balancimi, ngjitja dhe kërcimi. Gjithashtu, t’i kushtohet vëmendje dizajnit në kuptim të rehatisë dhe mirëqenies së kujdestarëve, është po aq e rëndësishme sa vetë loja.
Sfida më e rëndësishme që kemi hasur gjatë ndërtimit të shesheve pilot ishte procesi i prokurimit të komunave partnere. Mësuam se departamentet e tyre të parqeve dhe kopshteve kanë një qasje mjaft të sistematizuar ndaj dizajnit dhe mirëmbajtjes së shesheve të lojërave. Tenderët ndahen në intervale të rregullta me kontrata të mëdha. Këto kontrata më pas u nënkontraktohen kompanive që janë përgjegjëse për secilin komponent të një sheshi konvencional lojërash, duke përfshirë bimët, shtrimin e dyshemeve dhe pajisjet.
Këta nënkontraktues koordinohen në mënyrë efikase, duke instaluar pajisje nga katalogët me një gamë të gjerë opsionesh për çmime.
Të punuarit jashtë katalogëve ekzistues të produkteve dhe dëshira për të arritur diçka tjetër përveç një dyshemeje të sheshtë krijuan probleme. Edhe përkundër urdhrave të drejtpërdrejt të kryetarëve të rretheve për të ndërtuar këto sheshe lojërash, hasëm në rezistencë nga stafi teknik në nivele të ndryshme.
Siguria është argumenti më i rëndësishëm për të rezistuar çdo dizajn ‘jo-konvencional ’të hapësirës për lojë. Për shembull, a është e sigurt vendosja e një trungu të rënë të një peme si element loje? Kur bazohet në preferencat individuale, siguria mund të bëhet një temë shumë e vështirë për tu trajtuar. Ishte tejet e rëndësishme që ne vendosëm Standardet EN 1176 për Pajisjet e Sheshit dhe shtrimin e dyshemeve si dokument bazë për t’iu referuar kur vinte deri në konflikt. Ky standard evropian – i përshtatur në kontekstin lokal si TS 1176 – është i njohur në Turqi, por nuk ndiqet me përpikëri. Pajtimi për të ndjekur udhëzimet e tij bëri të mundur eksperimentimin.
Më shumë se një shesh lojërash
Përmes ndërtimit të shesheve pilot të lojërave, ndërtuam besim dhe vizion kolektiv. Procesi që nisëm së bashku me partnerët tanë u mbështet nga udhëtime studimore në Danimarkë dhe Holandë, dhe shumë punëtori me palë të ndryshme të interesit. Partnerë akademikë si Universiteti Bogaziçi dhe Universiteti Kadir Has u mobilizuan për të trajnuar stafin, edhe për zhvillimin e fëmijërisë së hershme edhe për dizajnin urban.
Teksa krijuam besim, gjithashtu ishim në gjendje të sillnim axhenda të reja si aktivitete të përkohshme të lojërave për fëmijët e vegjël në sheshet ekzistuese të lojërave që nuk kanë provizion për bebe dhe foshnje, ose testim të qasshmërisë së shesheve me ‘auditime karrocash’. Çdo përvojë e re ndihmoi ekipin më të madh të partnerëve të bëhen më të sigurt se ka shumë gjëra që mund t’i bëjmë për të bërë një qytet më të mirë për bebet, foshnjat dhe kujdestarët.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2019, nevojat e fëmijëve në qytet u shfaqën në fushatat e të dy kandidatëve kryesorë për Kryetar të Komunës së Stambollit. Sot, Stambolli ka një kryetar komunë i cili ka shënuar rekord shumë herë duke thënë se dëshiron të punojë për fëmijët e qytetit, veçanërisht më të vegjlit. Dhe të gjithë partnerët në Istanbul95, të cilët kanë testuar mjaft aspekte të ndryshme të asaj se çfarë duhet bërë për ta bërë një qytet t’i shërbejë më të voglit të tij, kanë krijuar protokolle për të transferuar njohuritë e tyre. Skena është e vendosur për të ndodhur gjëra të mahnitshme.
Disponueshmëria e këtij artikulli për Çështjet e Fëmijërisë së Hershme në gjuhën shqipe është bërë e mundur nga një iniciativë partneriteti e Fondacionit Van Leer dhe ISSA, në bashkëpunim me anëtarin e ISSA-s ‘Shoqatën Multikultura – Tetovë’.








